«Jo dhe shumë mirë» ia ktheu ajo «Nuk kam mbyllur sy gjithë natën. Jam tepër e lodhur».
«Ҫ’është ajo gjë aq e tmerrshme që të ka ndodhur dhe që nuk të ka lënë të flesh fare?».
«Pikërisht për këtë doja të të flisja, Stefano».
«Fillo pra të thuash ҫfarë të mundon, Elli. M’i rrëfe të gjitha: jam shumë kureshtar » tha ai.
«Kur u ndamë dje në mbrëmje, vajta drejt e në shtëpi dhe direkt e në shtrat. Pas pak ra telefoni. Për momentin mendova se ishe ti që po telefonoje sepse kishe nevojë për ndonjë gjë, por jo, nuk ishe ti. Më foli një zë i pazakontë dhe nisi të më thoshte që njiheshim me njëri tjetrin... që njihesha me atë... Stefano… që njihesha me atë!».
«Epo, mund të jetë e vërtetë, gjithsesi» i tha Stefano, i qetë.
«Nuk e kam dëgjuar kurrë atë zë. Unë nuk e njoh!» ia ktheu Elis gjithmonë e më nervoze.
«Por nuk mbaroi me kaq» vazhdoi më tej të thoshte «Kur hyra në kuzhinë, vura re disa fjalë të ҫuditshme të shkruara që s’i kam parë kurrë. Dhe të betohem se dje mbasdite nuk ishin».
«Mund t’i ketë shkruar ndonjë hajdut që ka hyrë në apartamentin tënd për të të lënë një mesazh të koduar».
«Por shtëpia ishte e gjitha në rregull».
«A je vërtet e sigurt për këtë?».
«Shumë e sigurt» iu përgjigj Elis.
«Hajde, të arsyetojmë për këto që kanë ndodhur pasi të pimë diҫka lart» propozoi Xamanji.
«Dakort jam».
Të dy bashkë vajtën te makinetat automatike që gjendeshin në korridoret e departamentit të policisë, nga ku Xamanji mori një kafe madje pyeti edhe Elisin nëse donte edhe ajo një.
Ajo iu përgjigj me një jo dhe shtoi se qe tepër nervoze për ta pirë një kafe.
«Si thua sikur sot pas lodhjes së punës, të vija në shtëpinë tënde dhe t’i hidhja një sy atyre ҫa janë shkruar mbi dyshemenë e kuzhinës?».
«Do isha shumë e kënaqur» ia ktheu Elis.
Ndërkohë të dy iu përveshën punës.
V
Stefano Xamanji nuk banonte në Bolonja; aty kishte vetëm një apartament garsonier që e përdorte sa herë që i duhej të rrinte në qytet për arsye pune.
Vendbanimi i tij ishte San Laxaro e Savenës, një qytezë sa dilje në periferi.
San Laxaro ishte shumë e qetë, të paktën kështu i dukej Stefanos.
Shtrihej pothuaj tre kilometra përgjatë rrugës Emilia dhe kishte një popullsi rreth tridhjetë mijë banorë duke përfshirë edhe fshatrat rreth e përqark.
Stefano banonte në bulevardin Republika.
San Laxaro e Savenës ishte vendi klasik ku dihej gjithҫka për gjithsecilin (ose thuajse gjithҫka), sidomos për të porsaardhurin e fundit, që në këtë rast ishte ai vetë.
Të gjithë bashkëqytetarët e tij ishin shumë të lumtur që e njihnin, duke ditur që ai ishte një polic i zoti, me aq sa tregohej për të rreth e rrotull. Në veҫanti zonjusha Ema Simoni, komshia që kishte te shtëpia (dhe mu ngjitur te dera).
Kur e takonin në rrugë, të gjithë e falenderonin për ato ҫfarë po bënte për qytetin. Nganjëherë, nëse mungonte për njëfarë kohe si rrjedhojë e ҫështjeve të punës, me t’u rikthyer të gjithë njerëzit bëheshin kureshtarë se përse kishte munguar.
Dhe ai u përgjigjej me aq sa mundte dhe me aq sa i lejohej.
Kur e dinte se Stefano gjendej në shtëpi, Ema e ftonte menjëherë për të pirë një gotë ҫaj, apo edhe për të ngrënë drekë.
Specialitetet e saj të gatimit ishin picat me bazë panҫete dhe domate të freskëta. Natyrisht që atij i pëlqenin shumë.
Qëkur Stefano i kishte thënë ҫfarë pëlqente, ajo gjithmonë i jepte nja dhjetë copa picash me një enë të vogël plastike ngjyrë blu.
Herë pas here, Stefano merrte edhe pak me vete kur shkonte në Departamentin e policisë së Bolonjës.
Edhe Elis, sapo i provoi, u dashurua menjëherë me ato specialitete të veҫanta.
Sa herë që kishte ndonjë problem me pistoletën e tij kalibër 38, Stefano kalonte njëherë nga dyqani i armëndreqësit Antonio Polini në rrugën Mezzini, që ndodhej nga ana tjetër e Bulevardit Republika.
Zoti Polini ishte një burrë jo shumë i gjatë me flokë të shkurtra dhe mjekër me majucë.
Pas njëfarë kohe të qëndrimit të tij në San Laxaro, Stefano Xamanji ishte bërë mik edhe me Luixhi Maxetin, pronari i dyqanit modest të pjesëve metalike mu para shtëpisë së tij.
Madje e kishte kuptuar se banonte në një vend shumë të bukur larg kaosit, thoshte vetë ai, dhe për këtë gjë ishte mëse i kënaqur.
Nuk mund të jetonte më në një qytet të mbipopulluar siҫ ishte Bolonja, kështu që ishte vënë në kërkim të diҫkaje më të qetë dhe më në fund e kishte gjetur.
Stefano dhe Elis arritën te shtëpia e saj.
«Futemi menjëherë në kuzhinë» ia bëri Elis.
U drejtuan të dy tek vendi ku gjendeshin ato fjalët e shkruara që Elis ia kishte treguar Stefanos në Departamentin e policisë.
Si për ҫudi, nuk ishin më... aty.
Nuk kishte asgjë. Sikur kishte avulluar gjithҫka.
Elis nuk dinte si ta shpjegonte.
Ishte mosbesuese dhe nuk do ta kishte besuar nëse nuk do e shikonte vetë me sytë e saj.
«Të betohem se këtu ishin» ia bëri Elis.
«Je e sigurt se nuk po gabon? Ndoshta ke fjetur pak sonte natën dhe je e lodhur».
«Jam dyqind për qind e sigurt» ia ktheu Elli.
«Për mendimin tim do bëje mirë sikur të merrje ca kohë pushim» i tha Stefano.
«Të thashë që jam e sigurt, madje shumë e sigurt. Të betohem se në mëngjes këtu gjendeshin. Pikërisht te vendi këtu ku gjendemi ne tani të dy» përsëriti me bindje vajza.
«Dakort, ta zëmë se ke të drejtë. Po si e shpjegon ti faktin se tani nuk gjenden më këtu?» e pyeti Stefano, tërë kureshtje.
«Nuk e di se ҫ’përgjigje të të jap. Zhdukja e fjalëve të shkruara më ҫudit edhe mua shumë, kështu që nuk di ҫ’të të them» ia ktheu Elis.
«Tani unë po iki, ndërsa ti ҫlodhu pakëz».
Elis tundi kokën.
Stefano doli dhe ajo vajti të shtrihej mbi divanin e vogël në sallon.
Pas gati njëzet minutash që kishte mbetur vetëm... ra zilja e telefonit.
«Aa...» Elis nuk e mbaroi dot fjalën dhe mbylli telefonin.
Kishte frikë se mos ishte prapë ai zëri. Se mos ishte prapë Zëri.
Po në qoftë se nuk ishte Zëri, por ndokush që kishte nevojë për të komunikuar me të?
Nuk dinte ҫ’përgjigje të jepte.
U shtri përsëri mbi divan dhe pas pak ra përsëri zilja e telefonit.
Ҫfarë