Provoi ta ngacmonte.
<Si je?> filloi me ton qëllimisht të shqetësuar. <Jam e shqetësuar për ty, Joshua. Je i heshtur, nuk flet më për studimet e tua dhe nuk ke ardhur më as të më takosh në dhomë!> përfundoi me ligësi.
<Oh, ehm... më fal, e dashura ime,> provoi ta merrte me të mira, <po përgatis një dispozitiv pak të ngatërruar dhe jam shumë i përqëndruar te kjo gjë.>
<Pra nuk ke kohë për mua?> iu kthye ajo këmbëngulëse.
<Jo, jo!> nxitoi ta siguronte djaloshi. <Thjesht bëhet fjalë për një eksperiment kaq delikat që...> vështroi përreth me pamje të kujdesshme <... që vetëm unë po e provoj. Nëse shkon mirë, do të kem një sukses të tillë në studimet e mia që askush nuk do më barazojë!> përfudoi duke i pëshpëritur në vesh.
Nuk e kishte gënjyer dhe nuk i kishte zbuluar informacione të rezervuara. Ndihej me ndërgjegje të pastër dhe shpresonte ta kishte kënaqur.
<Ah, është kjo, atëherë.> Charlene iu përgjigj me lehtësim të rremë. Marron ishte një libër i hapur, për atë që kishte një instikt natyral në perceptimin e gënjeshtrave. Mbi të gjitha, duke studiuar psikologji ishte ndeshur me kërkime mbi mikro-shprehjet e fytyrës: ishte apasionuar aq shumë pas tyre saqë kishte ndërmarrë e pavarur studimin e gjithë materialit që kishte arritur të shtinte në dorë, paralelisht me kurset e rregullta të fakultetit të saj. E shihte qartë se Marron duhej të kishte vërtet diçka të madhe nëpër duar, po nuk ishte ajo që ai donte që ajo të besonte. Kishte më shumë, shumë më tepër sesa një rezultat i mundshëm brilant në studime. Diçka që e mbante djaloshin në ankth dhe në të njëjtën kohë e galvanizonte. Nëse ai nuk donte ose nuk mundej t’ia thoshte duhej të ishte një gjë vërtet shumë, shumë sekrete.
<Atëhere gjithçka është mirë, Joshua. Në rregull, kështu.> e gënjeu paturpësisht.
Marron morri frymë i lehtësuar dhe filloi të hante, duke besuar se ia kishte hedhur paq.
Charlene e kënaqi me një buzëqeshje të bukur dhe filloi të hante me pirun sasi të madhe nga sallata e saj.
‘Mendoj vërtet që do të të bëj një surprizë të bukur, i dashuri im!’ tha me vete, dhe filloi të bënte një plan për të dalë në krye të kësaj pune njëherë e mirë.
Nuk e duronte, absolutisht, që i dashuri i saj t’i mbante të fshehtë diçka.
Kapitulli XI
Marron mbaroi së ngrëni nga ora një, përshëndeti Charlene-ën dhe shkoi në laborator.
Gjatë rrugëtimit u kryqëzua me profesoreshën Bryce; kishte një pamje të thatë dhe e shpërfilli kur ai tentoi ta përshëndeste.
Sapo kaloi derën e kuptoi që duhej të kishte ndodhur diçka e rëndë. Profesorët i kishin rrobat të pista dhe të zbehura, ndërsa në laborator mbretëronte rrëmuja. Një tym ngjyrë akre dilte akoma nga metali i ngjitur me acidin, zona e freskimit ishte copë-copë dhe pajisje të shumta dukeshin të dëmtuara në mënyrë të pariparueshme. Për fat dispozitivi i shkëmbimit ishte i paprekur, falë një dollapi që e kishte shpëtuar nga shpërthimi.
Vuri re një humor të keq të përhapur dhe mbi të gjitha një armiqësi të shëmtuar midis Maokos dhe Novak, që shiheshin shtrembër.
Duke e parë që hyri, Drew e thërriti.
<E bëmë një gjuajtje, Marron.> i shpjegoi profesori me pamje të rëndë.
Drew i tregoi ngjarjet e mëngjesit dhe përfundoi me përshkrimin e aksidentit. Studenti dëgjoi me shqetësimin që i vinte në rritje.
<Profesor, kjo tregon që për çdo shkëmbim që do të bëjmë tani e tutje nuk do të dimë ku do jetë pika B.> Marron tregoi pasiguritë e tij. <Është shumë e rrezikshme, më duket. Si mund ta bëjmë?>
<Tani do e ndërpresim. Siç e sheh,> dhe këtu Drew tregoi veten e tij dhe kolegët e tij, <kemi të gjithë nevojë të rregullohemi dhe të hamë. I gjete materialet?>
Marron pohoi dhe mbështeti kutinë mbi një banak afër.
<Shumë mirë, Marron. Ti ke ngrënë, tashmë?>
<Sigurisht, profesor.>
Profesorët dolën dhe Marron mbeti vetëm.
U përpoq të sistemonte pak vërdallë por kjo punë ishte e vështirë. Hapi dritaret për të krijuar një korrent ajri që do largonte tymin e mbetur. Veshi një palë doreza, dhe duke përdorur fshesën dhe lopatën mblodhi të gjitha mbeturinat që arriti të gjente. Pjesët më të vogla me shumë mundësi ishin ngjitur në boshllëqet e mobiljeve dhe në këndet më të paarritshme të ambientit; nuk mund ti rikuperoje vetëm nëse çmontoje gjithçka dhe ta bëje rrëmujë laboratorin. Ato pjesë do t’i kishin gjetur në vitet e ardhshme, një nga një, punonjësit e pastrimit dhe studentët që do ndodheshin aty. Asnjë nga ata nuk do ta dinte si kishin përfunduar, pikërisht në vendet më të errëta, copa metali të gërryera dhe plastikë e përzierë.
Disa copa, në fund, nuk do gjendeshin kurrë. Ishin bërë pjesë e godinës dhe trashëgimi e heshtur e një eksperimenti që nuk mund të tregohej, por që ishte një gur historik në zhvillimin shkencor.
Pasi mbaroi së pastruari, Marron liroi plotësisht një banak dhe me një leckë të lagur me detergjent e bëri sipërfaqen të shkëlqyeshme dhe, pastaj i vendosi sipër materialet e blera, duke i rreshtuar mirë dhe duke i ndarë sipas llojit. Mungonin pjesët sipas masave që Drew po përgatiste.
Nga një tavolinë morri një kompiuter me karakteristika të njëjta me atë të përdorur për eksperimentin dhe e transferoi mbi banakun e pastër, pastaj instaloi në të, të njëjtin program si të tjetrit. Përfundoi instalimin me parametrat e ruajtur në disqe të masterizuar natën e zbulimit.
Pa që dërrasa e zezë ishte e mbushur me ekuacione, grafikë dhe vizatime të çuditshme që, mendoi, përpiqeshin të përfaqësonin konfigurime të mundshme të një shtrembërimi hapësiro-kohor. U përpoq të ndiqte fijen e arsyetimit të shprehur nga ajo punë, por vuri re që nuk ishte mbrujtur mjaftueshëm për të kuptuar gjithçka. Arrinte të kuptonte nga ishin nisur kërkuesit, sigurisht relativiteti i përgjithshëm, por zhvillimet i kishte të paqarta. Të shumta ishin korrigjimet, dhe nga kjo perceptonte që ato mendje të jashtëzakonshme luftonin me vendosmëri për të penetruar thelbin e këtij fenomeni ogurzi. Dalloi qartazi tre kaligrafi të ndryshme, që alternoheshin në mënyrë të rastësishme. Intuita e njërit ishte zgjidhja për problemin në të cilin tjetri ishte bllokuar, dhe puna në dërrasën e zezë përfaqësonte me dëshminë maksimale sesi tre profesorët bashkonin njohuritë e tyre në mënyrë që të arrinin një super-mendje të vetme, pa dashur që njëri të donte të mbivlerësohej ndaj tjetrit.
Ai ishte shpirti i vërtetë i kërkimit të grupit,dhe Marron ishte i lumtur që bënte pjesë në gjithë këtë.
Ishte akoma duke vëzhguar dërrasën e zezë kur arritën Maoko dhe Kobayashi. Po diskutonin me entuziazëm në japonisht me zë të ulët, për të plotësisht të pakuptueshëm. Nga toni i zërit dhe nga gjestet i dukej sikur kuptonte që Maoko donte që me çdo kusht të bënte diçka, ndërsa Kobayashi përpiqej ta kundërshtonte.
E panë dhe ndaluan së diskutuari.
<Oh,