Fillimisht macka u duk se po i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes, duke mjaullitur dhe fërkuar turirin tek dora e madhe e kolonelit. Por papritur, ngriu në vend, bëri një qëndrim të pazakontë dhe ktheu vështrimin në drejtim të satelitit të zbehtë të Tokës. Të dy, gjithë kureshtje nga ajo sjellje e çuditshme e saj, u kthyen instiktivisht edhe ata në po atë drejtim. Ajo që panë pas pak çastesh i la gati pa frymë. Një shkëlqim verbues jonormal u duk sikur mbështolli hënën. Një dritë shumë e bardhë, që u përhap në një sipërfaqe dhjetë herë më të madhe se diametri i satelitit, formoi një tip kurore përreth saj. Kjo zgjati vetëm pak sekonda por thuajse ngjante sikur një diell tjetër ishte shfaqur papritmas në qiellin e mugëtirës, duke ndriçuar të gjithë zonën me një dritë aspak natyrale.
«Po ça dreqin...» arriti vetëm të pëshpëriste koloneli i shtangur.
Ashtu siç ishte shfaqur, drita jonormale u venit dhe u duk se gjithçka u kthye tamam si më parë. Hëna ishte gjithmonë aty dhe dielli vazhdonte me përtaci zbritjen e tij mbrapa dunave që dalloheshin në horizont.
«Po ça ka qenë vallë?» pyeti Elisa me habi.
«Nuk kam as idenë më të vogël.»
«Për një çast pata frikë se mos shpërthente hëna.»
«Qe me të vërtetë e jashtëzakonshme» u shpreh koloneli ndërkohë që, me dorën e vendosur mbi vetull, vështronte qiellin e kthjellët në kërkim të ndonjë shenje.
«Azakisi... Petri...» foli Elisa papritur. «Duhet tâu ketë ndodhur diçka, e ndjej.»
«Ec tani, mjaft me këto. Ndoshta ka qenë vetëm efekti i ndezjes së motorëve të anijes së tyre.»
«Nuk është e mundur. Ngjante fiks si një eksplozion i vërtetë. Ti duhej të dije diçka më shumë se unë në fushën e materies, apo jo?»
«Zemër» komentoi me durim koloneli. «Për të parë pasojat e një eksplozioni të tillë nga gjithë kjo largësi, mbi hënën do të ishin dashur të shpërthenin njëkohësisht të paktën njëqind bomba atomike ose ndoshta edhe një mijë të tilla.»
«Po ça ka ndodhur atëherë?»
«Mund të provojmë të pyesim miqtë tanë ushtarakë. Fundja unë jam akoma pjesë e ELSAD-it. Me gjithë ato pajisje të drejtuara nga qielli, një ngjarje e këtillë natyrisht që nuk do tâu ketë shpëtuar.»
«Edhe Lulùja i ra në të.»
«Besoj se kjo mackë është shumë më inteligjente nga ne të dy të marrë së bashku.»
«Kafshët shtëpiake janë një racë superiore» tha Elisa ndërkohë që po merrte sërish mackën në krahë. «Akoma nuk e kishe kuptuar?»
«Tamam. Me duket se edhe egjiptianët e lashtë i adhuronin gati si perëndi.»
«Fiks ashtu është, i dashur» tha Elisa, e gëzuar që diskutimi ishte futur në një fushë që e njihte më së miri. «Bastet, për shembull, ishin një nga perënditë më të rëndësishme dhe më të adhuruara të fesë së lashtë egjiptiane, portretizuar ose me pamje femërore dhe kokë maceje ose direkt si mace. Në origjinë Bastet ishin një perëndi e kultit të diellit por me kalimin e kohës u bënë gjithnjë e kultit të hënës. Në kohën kur ndikimi grek u shtri mbi shoqërinë egjiptiane, Bastet përfundimisht u bënë thjesht një Perëndi hënore, në atë që Grekët e identifikonin me Artemidën, personifikimi i "Hënës që zmadhohet".»
«Po, në rregull. Faleminderit për leksionin, e nderuara profesoreshë» tha Xheku me ironi, duke e vënë theksin tek ajo ça tha dhe duke bërë një përkulje të lehtë. «Por tani të mundohemi të kuptojmë se çfarë dreqin po ndodh aty lart. Po bëj nja dy telefonata.»
«Kur të duash, jam gjithmonë në dispozicionin tënd, zemër» iu përgjigj Elisa, duke ngritur ngadalë zërin ndërkohë që koloneli largohej në drejtim të tendës laboratorike.
Lulùja, që kishte rënë prapë në qetësi, me sytë e mbyllur i gëzohej ledhatimeve pa masë që po i jepte mikesha e saj.
Anija gjashtë â Inspektimi hënor
Pasi dora e padukshme e frikës që i kishte trazuar stomakun më në fund vendosi ta linte të qetë, Azakisi kishte nisur të vërtitej me nervozizëm përgjatë kabinës së anijes duke belbëzuar fjalë pa kuptim.
«A do pushosh së vërtituri rreth e rrotull si një turrjelë?» e qortoi Petri. «Kështu do konsumosh dyshemenë dhe do përfundojmë duke fluturuar nëpër hapësirë si dy satelitë të vjetër jashtë përdorimit.»
«Po si ia del që të jesh kaq i qetë? Theosi përfundoi i shkatërruar, gjendemi me miliona kilometra nga planeti ynë mëmë, nuk mund të kontaktojmë me asnjeri gjithashtu, edhe nëse do të arrinim, do të ishte e pamundur që të vinte të na merrte dikush, dhe ti? Je shtrirë sa gjatë e gjerë në kolltuk si të gjendeshe me pushime dhe të ishe ulur mbi shkëmbinjtë në gjirin e Saraanit për të shijuar pamjen e perëndimit të diellit.»
«Rri i qetë plako, rri i qetë. Do ta shohësh se një zgjidhje do ta gjejmë.»
«Për momentin nuk më vjen në mend asnjë zgjidhje.»
«Sepse je i acaruar. Janë valët gama që po lëshon ai truri yt i gjorë dhe i tensionuar dhe që të pengojnë të llogjikosh me kthjelltësi.»
«A thua?»
«Sigurisht» iu përgjigj Petri me një buzëqeshje rrëzëllitëse. «Hajde dhe ulu pranë meje, merr frymë mirë dhe mundohu të relaksohesh. Do ta shohësh se në një kohë shumë të shkurtër gjithçka do të marrë tjetër formë.»
«Do të jetë ashtu siç thua ti, miku im» tha Azakisi ndërkohë që, duke ndjekur këshillën e shokut, e lëshoi trupin mbi kolltukun ngjyrë gri të pilotit të dytë «por në këtë moment mund të bëj gjithçka me përjashtim të relaksit.»
«Nëse më premton se do qetësohesh, do të të lejoj edhe të pish një nga ato shpifësirat që mban gjithmonë me vete.»
«Bah, mund të ishte madje një mendim i mirë. Jam i sigurt se do më ndihmonte ndopak.» Duke thënë kështu, nxori nga xhepi një cigare të gjatë të errët të dredhur me dorë dhe, pasi i preu anët me një mjet të çuditshëm